Janinë, arrestohet shqiptari me 89 kg kanabis

11/01/2017 00:00

Një 38-vjeçar nga Shqipëria është arrestuar në vendin e quajtur “Kardamia”, në periferi të Janinës, nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Sipas policisë greke, 38-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet publik për momentin, u ndalua teksa po transportonte me makinën e tij me targa greke, 89 kilogramë kanabis.

Autoritetet sqarojnë se lënda narkotike ishte kaluar nëpërmjet kufirit të gjelbër me kafshë dhe, pasi ishte fshehur në një zonë pyjore në kufirin shqiptaro-grek për disa ditë, ishte dërguar në bordin e automjetit të 38-vjeçarit tashmë të arrestuar.

Vlen të përmendet se policia greke kishte identifikuar ngarkesën dhe agjentë të saj po monitoronin zonën ku ishte fshehur, me qëllim gjetjen e trafikantëve.

Duket se trafikantët prisnin pikërisht motin e keq dhe temperaturat e ulëta që kanë pllakosur zonën e Epirit, për ta dërguar ngarkesën drejt Athinës.

38-vjeçari u dërgua në Gjykatën e Janinës, e cila e la atë në masën e sigurisë “burg pa afat”, deri në përfundimin e hetimeve.

Top Channel