Skandali Volkswagen? Kompania pritet të lërë pas Toyotën

10/01/2017 00:00

Duket ironike, por mund të ndodhë shumë shpejt. Volkswagen e kaloi vitin 2016 duke luftuar ligjërisht një skandal madhor për shkak të mashtrimit në testimet e emetimit të gazrave. Ndërkohë tashmë, kompania qëndron vetëm një hap larg parakalimit të Toyotës për të siguruar titullin e “prodhuesit më të madh të makinave” për këtë vit.

“Boom”-i që ka pësuar ky biznes i dislokuar në Kinë ka ndihmuar Volkswagenin të shtojë shitjet e saj me 10.31 milionë automjete gjatë vitit të kaluar, përfshi këtu të gjitha markat e saj, edhe Audin, Porschen dhe Skodën. Rritja e njoftuar këtë të martë është 3.8 për qind më e lartë sesa gjatë 2015-s, kur Volkswagen u rendit në vendin e dytë pas Toyotës. Ndërsa shifrat e fuqishme të siguruara dhjetorin e kaluar, 11.8 për qind më mirë sesa në të njëjtin muaj të një viti më parë, përmirësojnë edhe më tej mundësitë e kompanisë që të renditet e para sa u përket shitjeve globale.

Në fakt, edhe mundësia që Volkswageni po garon për postin më të lartë, duket tejet e jashtëzakonshme, duke marrë parasysh vitin e tmerrshëm në aspektin ligjor dhe ndikimin në imazh.

Kompania me seli në Wolfsburg të Gjermanisë ra dakord të zgjidhte me marrëveshje prej 15 miliardë dollarësh pretendimet e ngritura nga autoritetet mjedisore në SHBA, por edhe pronarët e rreth 500 mijë makinave. Megjithatë, ajo përballet tashmë me paditë e investitorëve dhe hetime penale në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara, aty ku me të gjitha gjasat do të gjobitet rëndë. Lajmi i skandalit u thellua më tej këtë javë, kur u njoftua edhe arrestimi i Oliver Schmidt, ish-kreu ekzekutiv i Volkswagenit, në Florida të Amerikës.

Top Channel