Prokurori i Trump, test të vështirë në Senat

10/01/2016 00:00

Emri i përzgjedhur nga Donald Trump për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, pritet të përballet me një seancë dëgjimore të vështirë në senatin amerikan këtë të martë.

69-vjeçari Jeff Sessions, senator i Alabamas duhet t’u përgjigjet pyetjeve të vështira të demokratëve në lidhje me raportet e tij në të shkuarën me të drejtat e njeriut dhe qëndrimet e ashpra kundër emigrantëve.

Sessions mban mbi supe dy dekada postin e senatorit dhe njihet si një ndër zërat më konservatorë në Senat. Në vitin 1986 Komiteti i Drejtësisë i rrëzoi kërkesën për t’u emëruar gjyqtar federal pas marrjes së disa dëshmive që provonin qëndrimet raciste të tij.

Në njërën nga dëshmitë, Sessions akuzohej se kishte quajtur “djalë” një asistent me ngjyrë të Prokurorit të Përgjithshëm, të cilit më pas i kishte kujtuar që të “bëntë kujdes me mënyrën sesi u drejtohej njerëzve të bardhë”.

69-vjeçari ka pranuar se ka deklaruar se Shoqata Kombëtare për Avancimin e Njerëzve me Ngjyrë në Shtetet e Bashkuara ishte anti-Amerikane dhe e frymëzuar nga komunizmi.

Megjithatë, vetë Sessions ka mohuar vazhdimisht akuzat për qëndrime raciste dhe gjithmonë ka patur mbrojtjen e republikanëve kundër tyre.

Sa u takon qëndrimeve ndaj emigrantëve, Sessions u përshtatet premtimeve elektorale të Donald Trump. Ai ka kundërshtuar përpjekjet si të republikanëve ashtu edhe të demokratëve për t’u dhënë shtetësinë emigrantëve të paligjshëm në territorin e SHBA dhe mbështet kufizimin fluksit të refugjatëve, qofshin të ligjshëm, qofshin të paligjshëm.

Megjithatë, pavarësisht se me çfarë pyetjesh do të përballet nga demokratët në Senat, Sessions pritet të kalojë pa asnjë problem, pasi republikanët kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit.

Top Channel