I ftohti në Europë; në Maqedoni, e marta pushim për të sëmurët

10/01/2017 00:00

Temperaturat ekstremisht të ulëta kanë shtyrë Ministrinë maqedonase të Shëndetësisë të rekomandojë që personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatëzëna ta bëjnë ditën e martë pushim.

Të gjitha kompanitë me të punësuar të cilëve u duhet të punojnë jashtë u kërkohet organizimi i aktivitetit të tyre në mënyrë që të shmanget ekspozimi gjatë orëve më të ftohta të ditës.

Të gjithë qytetarët ndërkohë janë këshilluar të shmangin me sa të munden daljen nëpër rrugë, të konsumojnë lëngje të ngrohta e të eliminojnë alkoolin.

Temperaturat në mbarë vendin kanë zbritur në minus 10 gradë Celsius. Sipas agjencisë së lajmeve MIA, qindra vetë janë shtruar në spital me thyerje gjymtyrësh të shkaktuara prej rrëshqitjes në rrugët e mbuluara nga akulli. Një i pastrehë u gjet i ngrirë të hënën në Shkup.

Minus 10 gradë shënon termometri edhe në Hungari, ku shoqatat e bamirësisë janë angazhuar të ndihmojnë të pastrehët, një pjesë e të cilëve nuk binden të shkojnë në qendrat e strehimit, qoftë edhe për disa orë.

Për t’i ndihmuar sadopak këta njerëz, artisti hungarez Zsigmond Gerloczy doli me nismën: “Dhuro një pallto që nuk të duhet” dhe ideja është përhapur me shpejtësi në pjesë të ndryshme të vendit. Mijëra pallto të përdorura janë mbledhur deri tani e do t’iu shpërndahen të pastrehëve.

Numri i viktimave nga ngricat dhe dëbora në Europën qendrore ka mbërritur në 25, 17 prej të cilëve vetëm në Poloni. Termometri në Republikën Çeke shënoi 30 gradë nën zero, ndërsa në Bullgari, bora dhe erërat e furishme lanë 75.000 banesa pa energji elektrike.

Top Channel