Pekin, policia “i shpall luftë” smogut toksik

08/01/2016 00:00

Një ekip i ri i policisë mjedisore do të përpiqet të reduktojë nivelet shqetësuese të smogut toksik që ka pushtuar Pekinin, sipas asaj që njofton kryebashkiaku në detyrë i qytetit, Cai Qi.

Policia në fjalë do të kontrollojë për burimet lokale të ndotjes së ajrit, përfshi kioskat e hapura të ushqimeve “barbecue” apo rrugët e ndotura.

Kryebashkiaku prentoi gjithashtu të reduktonte konsumin e qymyrgurit me 30 për qind gjatë këtij viti, siç informon agjencia e lajmeve “Xinhua”.

Shumë rezidentë janë detyruar të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre për ditë të tëra, në mënyrë që të shmangin thithjen e ajrit të ndotur dhe të helmuar.

Populli ka bërë thirrje ndaj qeverisë që të bëjë më shumë për adresimin e burimeve të mëdha të smogut, përfshi reduktimin e varësisë së Kinës nga termocentralet me qymyrguri, që është edhe burimi i parë i energjisë elektrike në vend.

Zyrtarët thonë se kushtet e pafavorshme të motit në kryeqytet kanë penguar që ndotësit të shpërhapen. “Barbecue-t në ambiente të hapura, djegia e mbeturinave, pluhuri nga rrugët…këto akte të papajtueshmërisë me rregulloret janë aktualisht rezultat i mbikëqyrjes së dobët dhe zbatimit të dobët të ligjit”, tha Cai i cituar nga agjencia “Xinhua”.

Top Channel