Viktima e parë nga moti i ftohtë, një i pastrehë në Durrës

07/01/2017 00:00

Temperaturat e ulëta të këtyre ditëve kanë shënuar viktimën e parë. Bëhet fjalë për një të pastrehë që është gjetur i vdekur ditën e sotme në qytetin e Durrësit.

Trupi është gjetur i mbledhur kruspull nga kalimtarët në lagjen numër 17, të cilët kanë lajmëruar policinë. Kjo e fundit, pas veprimeve të para e ka identifikuar të ndjerin si shtetasin Arben Sulo, 38 vjeç.

Ndërkohë, specialistët e mjekësisë ligjore që kanë marrë në dorëzim kufomën kanë konstatuar se në të nuk ka patur shenja dhune dhe se vdekja ka ndodhur për shkaqe natyrale.

Në këto ditë të ftohta, në qytetin e Durrësit nuk është ngritur ende ndonjë strehë e përkohshme për të pastrehët, ndërsa në ambjentet e Drejtorisë lokale të Policisë bëhet e ditur se atje janë sistemuar 4 persona deri në një zgjidhje tjetër.

Ndërkohë Policia e Shtetit njofton se vetëm mbrëmjen e së premtes shoqëroi 19 persona që u gjetën duke fjetur jashtë. Ata u dërguan në spital, ose u mbajtën nëpër komisariate për t’i shpëtuar nga temperaturat e ulëta.

Top Channel