Videoja sensacionale, 4-vjeçari krah rojave mbretërore

06/01/2017 00:00

Një 4 vjeçar nga Britania është shndërruar në një sensacion në rrjet pasi videoja ku ai shfaqet duke përshëndetur në mënyrë të adhurueshme një nga rojat e kështjellës së Uindsorit ka marrë mbi një milionë klikime në vetëm 24 orë.

I vogli Marshall Scot, po festonte ditëlindjen e tij, i veshur si një rojë në miniaturë, kur, një prej rojave të kështjellës mbretërore, ndaloi pranë tij dhe pozoi për një foto.

Mamaja e tij thotë se 4-vjeçari është një patriot i vërtetë dhe thotë se mbretëresha është e adhurueshme. Ai donte të vizitonte kështjellën për ditëlindjen e tij, por nuk kishte asnjë ide se çfarë do të ndodhte.

Videoja është filmuar në fakt nga një turiste, e cila ndodhej aty për marshimin e rojave të kështjellës Uindsor. Kur rojat përfunduan marshimin, njëri prej tyre u kthye prapa dhe ndaloi për një foto me Marshallin e vogël, të veshur me uniformë të kuqe.

Por, duket se surprizat në ditëlindjen e 4-të të vogëlushit nuk kanë mbaruar me kaq. Ai është ftuar nga rojat mbretërore për një vizitë në kështjellën Uindsor, ndërsa në faqen zyrtare të internetit të tyre, shkruhet se është rezervuar një vend për vogëlushin në kolegjin ushtarak, për vitin shkollor që nis në mars të 2029-s.

Top Channel