Dita e ujit të bekuar, ceremoni në disa qytete

06/01/2017 00:00

Në temperatura të ftohta dhe nën dëborë, dhjetëra besimtarë ortodoksë kanë marrë pjesë në ceremoninë e hedhjes së kryqit, që përkujton pagëzimin e Jezu Krishtit nga Gjon pagëzori në ujërat e lumit Jordan.

Festa e ujit të bekuar, për herë të parë pas shumë vitesh është zhvilluar nën flokët e borës në urën e Goricës në Berat. At Kristaqi hodhi në ujë kryqin e shenjtë, i cili u nxor nga lumi nga Renato Laska.

Në qytetin e Korçës të zbardhur nga dëbora, kremtimi ka nisur prej orëve të para të mëngjesit me celebrimin e meshës për të gjithë besimtarët në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Më pas, qytetarët korçarë i janë drejtuar shatërvanit te lulishtja “Vangjush Mio”.

Në Durrës, ceremonia e hedhjes së kryqit u zhvillua në ujërat e portit të Durrësit, por vetëm dy të rinj u hodhën në ujërat e ftohtë të Adriatikut, ndërsa kryqi u kap nga 19-vjeçari Enkel Sinani.

Në një ceremoni të organizuar në një kompleks pishinash, Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit ka hedhur kryqin në ujë. 22-vjeçari Martin Çipi ishte i vetmi që i bëri ballë ujit të ftohtë dhe temperaturave nën zero, për të marrë bekimin e kësaj dite.

Në Gjirokastër, në ujërat e lumit Drino, kryqin e kapi Enea, një 25-vjeçar nga Memaliaj. Edhe në qytetin e Fierit, 14-vjeçari Athanas Davidhi e ka nxjerrë kryqin nga uji për të tretin vit radhazi.

Në fshatin Mazhaj të Lushnjes, banorë të të gjitha besimeve fetare e festojnë këtë ditë së bashku. Ata ecën në këmbë për 2 km drejt lumit Seman, ku Bleon Nushi kapi kryqin për herë të dytë. Më pas, ata kanë hedhur në ujërat e lumit kokat e prera të shpendëve dhe tufa bari, të cilat simbolizojnë bollëkun në të mbjella dhe mbarësinë në rritjen e gjësë së gjallë.

Top Channel