Ministri Ahmetaj urdhëron kontrolle në pikat e shitjes së gazit

05/01/2017 00:00

Pas një takimi me strukturat në varësi, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ministri i Financave, Arben Ahmetaj urdhëroi ushtrimin e kontrolleve në pikat e shitjes së gazit të lëngshëm.

Manipulimet me çmimin në dëm të konsumatorëve familjarë do të jenë subjekt i masave të menjëhershme nga organet e kontrollit.

Qëllimi i këtyre kontrolleve do të jetë garantimi i zbatimit korrekt të ndryshimit të bërë në ligjin për akcizat, me aplikimin e akcizës 8 lekë/litër për gazin e lëngshëm, vetëm për përdorim nga automjetet.

Organet e kontrollit në varësi të tatimeve dhe doganave, janë urdhëruar të ndërmarrin masa të menjëhershme për subjektet abuzuese në të gjitha rastet e konstatimit të shkeljeve në zbatimin e ligjit dhe manipulimit me çmimin e tregtimit të gazit të lëngshëm në dëm të konsumatorëve familjarë dhe bizneseve.

Kontrollet do të nisin menjëherë dhe do të shtrihen në të gjithë vendin. Ministria e Financave sqaron edhe njëherë se ndryshimi në ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, i cili hyri në fuqi në datën 1 Janar 2017 me Paketën e re Fiskale, nuk parashikon asnjë kosto shtesë për qytetarët dhe sipërmarrjen.

Ministria e Financave thekson angazhimin maksimal të strukturave të tatimeve dhe doganave në funksion të garantimit të zbatimi korrekt të ligjit dhe fton qytetarët të raportojnë çdo rast abuzimi që ata konstatojnë në treg.

Top Channel