Moti i keq, Autoriteti Rrugor: Evitoni udhëtimin nga Rruga e Kombit

05/01/2017 00:00

Autoriteti Rrugor Shqiptar i bën thirrje drejtuesve të automjeteve të evitojnë udhëtimin në Rrugën e Kombit, sidomos gjatë natës, për shkak reshjeve të borës dhe ngricave.

Pjesa më problematike është pas tunelit të Thirrës. Bëhet thirrje për përdorimin e zinxhirëve. Ndërkohë, moti i keq ka shkaktuar probleme në rrugët e zonave të tjera veriore të vendit.

Në akset e Tropojës dhe Kukësit është bërë pastrimi dhe hedhja e kripës nga kontraktorët. Në Shqipërinë e Mesme nuk ka probleme për qarkullimin.

Në Dibër pothuajse të gjitha rrugët rurale janë bërë të pakalueshme. Gjatë orëve të pasdites dëbora nisi me intensitet të lartë në formë stuhie.

Pa probleme rezultojnë dhe rrugët e rajonit të Gjirokastrës. Në Llogara nuk ka probleme me qarkullimin. Ndërsa në akset e Korçës është bërë hedhja e kripës për shkak të ngricave, por qarkullimi është normal, pa zinxhirë.

Në segmentin Elbasan-Qafë Thanë është bërë hedhja e kripës, qarkullimi është normal. Ka patur rënie gurësh në disa zona, që janë pastruar nga kontraktori.

Ndërkohë si pasojë e motit të keq ka patur stakime të energjisë në zonat veriore të vendit. Nga të dhënat del se shumica e problemeve shfaqen në zonat rurale, me rrjet të amortizuar, prej 6 kV.  

Top Channel