Beteja për mandatet, Tahiri dhe Selami ankesë në Administrative

04/01/2017 00:00

Gjykata Administrative e shkallës së parë në Tiranë është arena ku dy ish-deputetë të Kuvendit do të rikërkojnë mandatin e hequr në fund të dhjetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Përmes avokatit Genc Çifliku, ish-deputeti Shkëlqim Selami ka kërkuar në këtë padi shfuqizimin e aktit administrativ të datës 29 dhjetor të shpallur nga KQZ, që ndërpreu mandatin e tij.

Kërkesa e dytë e ish-deputetit ndaj Gjykatës Administrative është që trupa gjyqësore të marrë masën e sigurimit të padisë duke pezulluar vendimin e KQZ deri në përfundim të gjykimit në themel.

Ndërkohë, ish-deputeti demokrat Dashamir Tahiri kërkon të njëjtën gjë, pasi sipas avokatit Fatimir Braka, i cili u kontaktua nga Top Channel, klientit të tij iu hoq mandati në bazë të një shkrese të Europol dhe pa pritur vendimin e mirëfilltë të drejtësisë italiane për këtë çështje.

Top Channel kontaktoi në telefon edhe avokatin e ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, për të cilin KQZ i kërkoi kryeministrit të firmosë largimin e tij nga detyra.

I pyetur nga TCH, Theodhori Sollaku tha se brenda aftatit ligjor 15-dior do të ushtrojë ankimim në Gjykatën Kushtetuese për klientin e tij, ku do të godasë si aktin e qeverisë për shkarkim, ashtu edhe elementë të veçantë të ligjit të dekriminalizimit.

Deputeti i LSI, Shkëlqim Selami, ai i PD Dashamir Tahiri dhe kryebashkiaku socialist Elvis Roshi u bënë subjekt i ligjit të deklriminalizimit për shkak se rezultuan të dënuar nga drejtësia italiane, dënime të cilat ata nuk i treguan në vetëdeklarim.

Me kërkesë të KQZ, Prokuroria e Përgjithshme bëri verifikime dhe pak ditë më parë i kërkoi KQZ që t’u heqë mandatet të treve.

Top Channel