PD: Me Ramën, Balili i lirë; 22-vjeçari vdes në qeli

04/01/2017 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar sërish kryeministrin Rama për lidhje me krimin, duke cituar si provë arratinë e Klement Balilit, i konsideruar nga autoritetet greke si “Eskobari i Ballkanit”.

Në një deklaratë për mediat, sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma ka akuzuar gjithashtu qeverinë për standarde të dyfishta në aplikimin e ligjit.

“Me Edi Ramën, Klement Balili është i lirë. Po me Edi Ramën, një i ri 22-vjeçar, Estref Halili, i arrestuar nga policia, sipas familjarëve të tij me 3 gramë hashash, trajtohet pa mëshirë dhe shtyhet drejt vetëvrasjes në qeli. Këto janë dy standardet e Edi Ramës”, ka deklaruar Duma.

Në emër të Partisë Demokratike, Duma i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojë me urgjencë dhe seriozitet të gjitha procedurat që janë ndjekur nga policia dhe autoritetet e burgjeve në rastin e 22-vjeçarit Halili. “Të hetojë e të nxjerrë para ligjit përgjegjësit”, ka shtuar Duma.

Top Channel