“Hanuka” në Tiranë; Festivali Hebre në Presidencë

27/12/2016 00:00

Festivali Hebre i Dritave dhe i Përkushtimit, i njohur në hebraisht si “Hanuka”, është festuar dhe në Tiranë.

Për të katërtin vit radhazi, kreu i shtetit Bujar Nishani ka zhvilluar në Presidencë, në prani të ambasadorit të Izraelit në Tiranë, diplomateve të tjerë dhe përfaqësuesve te besimeve fetare, festimet për këtë ditë të shënuar në kalendarin hebre, e cila kujton ringritje e Tempullit te Jeruzalemit, pas shkatërrimit të tij në vitin 166 përpara Krishtit.

Në fjalën e tij, veç vlerësimit të madh të miqësisë mes dy vendeve, Nishani u ndal dhe tek simbolika e kësaj feste.

“Të gjithë ne ndihemi të frymëzuar nga shembulli dhe historia e Hanukas, por mbi të gjitha jemi krenarë, sepse Shqipëria dhe shqiptarët, në kurorën e vlerave të tyre, kanë si margaritarë rrëzëllitës bashkëjetesën dhe harmoninë fetare mes bashkësive të ndryshme. Pikërisht edhe me këto vlera të rralla dhe unike, ne shqiptarët synojmë të pasurojmë së shpejti familjen e madhe evropiane, së cilës do t’i bashkëngjitemi në mënyrë të merituar, por pse jo, t’i ndajmë bujarisht dhe ta lartësojmë këtë pasuri të trashëguar nga të parët tanë, edhe me kombet e tjera, ashtu siç po bëjmë sonte këtu”, tha Nishani.

Nga ana e tij, Ambasadori i Izraelit në Tiranë Boaz Rodkin theksoi se gjithkush në Shqipëri mund ta kuptojë frymën e kësaj tradite.

“Praktimi me krenari i fesë sonë, cilado qoftë ajo si dhe mbrojtja e të drejtave të të tjerëve për të bërë të njëjtën gjë ky është besimi i përbashkët i këtij vendi”, mbylli fjalën e tij Ambasadori i Izraelit në Tiranë.

Top Channel