Tepelenë, zjarr në banesë; humbin jetën nëna dhe foshnja

27/12/2016 00:00

Një ngjarje e rëndë u shënua në qytetin e Tepelenës pasditen e së martës. Një nënë 35 vjeçare dhe foshnja e saj vetëm 6 muajsh humbën jetën nga zjarri që shpërtheu në banesën e tyre.

Zjarri përfshiu shtëpinë me shpejtësi i ndihmuar edhe nga orenditë shtëpiake pa i dhënë mundësi Elona Shehut që të shpëtonte foshnjën e saj dhe veten.

Në ndihme nuk mund t’i vinin as fqinjët. Forcat zjarrfikëse të mbërritura pas njoftimit të komshinjve janë përpjekur të hapin dyert e banesës ku viktimat ndodheshin të vetme.

Zjarri ka shkrumbuar gjithçka dhe nga temperaturë e lartë kanë rënë edhe suvatë e mureve. Zjarrfikësit që shuan flakët gjetën edhe dy viktimat e dëmtuara shumë rëndë nga nxehtësia e madhe.

Grupi hetimor doli në përfundimin se, pati një rrjedhje gazi nga soba që përdorej për ngrohje që ka mbushur të gjithë banesën e më pas ka shpërthyer duke bllokuar dyert. Për këtë arsye nëna nuk ka mundur dot të dale nga banesa e saj.

Kryefamiljari, Genti Shehu ndodhej në punë në momentin e tragjedisë. Çifti ka edhe një fëmijë 5 vjeç që ndodhej në shtëpinë e gjyshërve.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel