Maria kërkon shkollën. Romët në Gjirokastër, fëmijët nuk janë në gjendjen civile

26/12/2016 00:00

Maria është 10-vjeç, por e kalon ditën duke u endur rreth çadrës së familjes së saj rome, pranë përroit malor të lagjes “Zinxhira” në Gjirokastër. Ajo e ka braktisur shkollën, por dëshiron të rikthehet.

“Kam shkuar në shkollë, por më tha të sillja certifikatën. 5 ditë shkova në shkollë”, tregon Maria.

Nëna e saj Diana Rizvo thotë se të bijat nuk i ka regjistruar kurrë në gjendjen civile. Ato kanë lindur në Greqi dhe nuk e përballonte dot pagesën që i detyrohej spitalit, ndaj është larguar në fshehtësi bashkë me fëmijët.

Disa organizata janë ofruar për të zgjidhur problemin e regjistrimit të fëmijëve në këtë lagje romësh, por ende shumë prej tyre enden rrugëve duke punuar apo lypur.

Në shkollën e Marias, “Andon Zako Çajupi” mirëpresin rikthimin e saj. Por familja, sipas tyre, ndryshon vazhdimisht adresë dhe rastet e fëmijëve që punojnë janë të vështira për t’u menaxhuar.

“Nuk kemi asnjë rast kur shkolla të bëhet një barrierë ëpr mungesën e certifikatës së fëmijës ose mungesës së mjeteve të identifikimit, por fëmijët që vijnë nga komuniteti rom ju lihet afat për plotësimin e dokumentacionit”, deklaroi Etleva Yzo, specialiste pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale në Gjirokastër.

Nga 76 fëmijë romë që ndjekin arsimin 9-vjeçar pranë dy shkollave “Andon Zako Çajupi” dhe “Së bashku” , 12 nuk kanë certifikatë regjistrimi në gjendjen civile dhe as konfirmim vaksinimi.

Nga ana tjetër, numri i atyre që nuk ndjekin shkollën është disa dhjetëra dhe ndryshon në varësi të ritmit të lëvizjes së familjeve të tyre për punë sezonale në Greqi.

Top Channel