Rrëzimi i avionit rus, Putin shpall të hënën ditë zie kombëtare

25/12/2016 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin, shprehu ngushëllimet e tij për familjet e 92 personave që humbën jetën tragjikisht pasi një avion ushtarak u përplas në Detin e Zi.

“Unë dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e atyre që u ndanë nga jeta. Qeveria do të formojë një komision i cili do të kryesohet nga ministri i Transportit. Një hetim i plotë për shkaqet e aksidentit do të kryhet dhe çdo gjë do të bëhet për të mbështetur familjet e të vrarëve. Dita e hënë është ditë zie kombëtare për Rusinë”, deklaroi Putin.

Të gjitha pistat po merren në konsideratë për avionin që u zhduk nga radari 2 minuta pasi u ngrit në fluturim nga resorti turistik i Soçit. Autoritetet ruse gjeten pjesë të avionit në Detin e Zi dhe disa trupa, ndërsa nuk ka raporte për të mbijetuar.

Mësohet se avioni Tupolev 154 po transportonte ushtarakë, anëtarë të orkestrës së famshme ushtarake Aleksandrov dhe reporterë.

Në bordin e tij gjendeshin 84 pasagjerë dhe 8 anëtarë ekuipazhi në udhëtimin drejt qytetit sirian të Latakias, ku orkestra Aleksandrov do të zhvillonte një shfaqje për trupat ruse për Vitin e Ri.

Top Channel