Libi, idhtarët e Gaddafit marrin peng avionin. Devijon në Maltë

23/12/2016 00:00

Një avion libian me 118 persona në bord bëri ulje të detyruar në aeroportin ndërkombëtar të Maltës, pas rrëmbimit prej dy individëve të përshkruar nga disa media të huaja si mbështetës të ish-kreut të vrarë të Libisë, Muammar Gaddafi.

“Airbusi A320” ishte në një fluturim të brendshëm kur rrëmbyesit i kanë shtrënguar pilotët të ndërrojnë kurs nën kërcënimin se do ta hidhnin avionin në erë. Ata mendohet të kenë pasur me vete një granatë dore.

Forcat malteze të sigurisë e rrethuan menjëherë aeroportin, që u mbyll krejtësisht pas incidentit dhe të gjitha fluturimet për atje u devijuan. Pas disa orë negociatash me autoritetet, pengmarrësit nisën lirimin e pasagjerëve, duke filluar nga gratë e fëmijët.

Sipas “Times of Malta”, rrëmbyesit i përkasin një fraksioni libian të njohur si “Fatah al-Gadida”, grup besnik ky i regjimit të përmbysur. Sabha, qyteti lindor libian nga ku avioni i “Afriqiyah Airëays” ka nisur fluturimin, është skenë e përplasjeve të vazhdueshme mes grupimeve rivale.

Destinacioni i tij ishte kryeqyteti Tripoli. Kjo ngjarje e rëndon edhe më shumë situatën e sigurisë së BE-së, pak ditë nga sulmi në tregun e Krishtlindjes në Berlin. Shteti i vogël me më pak se gjysmë milioni banorë është anëtar i bllokut që prej vitit 2004. Ajo ndodhet rreth 480 km larg brigjeve të Libisë së zhytur në luftë civile, që nga përmbysja e Gaddafit në 2011-n.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel