Vetting-u, Vasili: Kaloi momenti kyç i reformës në drejtësi

22/12/2016 00:00

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka nxituar të përshëndesë jashtë sallës së Kuvendit vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e vetting-ut, që sipas tij i hap rrugë procesit të integrimit të vendit dhe reformës në drejtësi, pasi është zgjidhur momenti kyç i saj.

“Pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese i hapet rruga zbatimit të reformës, që është shumë e lidhur dhe e ka moment kyç zbatimin e vetting-ut. Është marrë gjithashtu një përgjigje e qartë për një çështje që e lidh reformën me integrimin europian. Hapja e rrugës për vetting-un është hapje rruge për skanimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pra, ecim në një rrugë që është thelbi i procesit, për të pasur njerëz të pastër që të ndërtojnë sistemin e ardhshëm gjyqësor dhe mendoj se këtu kemi zgjidhur problemin themelor”, ka deklaruar Vasili.

Pas akuzave nga deputeti Ben Blushi, se arrestimi i Klement Balilit rrëzon koalicionin qeverisës, Petrit Vasili tha: “Për LSI-në Balili duhet të ishte arrestuar dje, jo sot. Arrestimi i tij i menjëhershëm, dje, e forcon aleancën politike, por mbi të gjitha shtetin ligjor për të cilin jemi investuar që të gjithë”.

Top Channel