Hetim Tahirit dhe Selamit, deputeti i opozitës sulmon ashpër Prokurorinë

21/12/2016 00:00

Prokuroria nisi ndjekjen penale ndaj dy deputetëve, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, me akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

Veprimi i menjëhershëm i Prokurorisë është pasojë detyruese e ligjit të dekriminalizimit, i cili e parashikon këtë masë, kur organi i akuzës konstaton se funksionari publik nuk ka bërë deklarim të plotë të të dhënave. Deputeti Dashamir Tahiri deklaroi se nuk ishte në dijeni të vendimeve të gjykatës italiane për akuzën e falsifikimit të patentës.

“Atëherë nuk e dija. Jam njoftuar nga Prokuroria, e cila më ka thënë se më ka dalë ky dënim në Itali. Atëherë mora menjëherë masat dhe ju drejtova KQZ-së, duke bërë vetdeklarimin. Por patenta nuk ka qenë asnjëherë false dhe  për këtë unë kam marrë edhe një vërtetim, ndërsa po e ndjek edhe në rrugë ligjore”, tha Dashamir Tahiri.

Dashamir Tahiri, deputet i PDIU, por që i përket grupit të Partisë Demokratike, bën sqarimin e  tij edhe për akuzën e falsifikimit të parave.

“Kam qëndruar në një bar në autostradë, ku kam marrë një lëng portokalli, ku si kusur më janë dhënë 10 mijë lireta, rreth 5 euro. Atje ka ardhur dhe policia duke bërë një sqarim, por nuk jam dënuar për atë”, tha Tahiri.

Deputeti i opozitës u tregua kritik me qëndrimin e Prokurorisë.

“Vet kjo që mua më kanë përzier në këto balanca tregon se janë të paqenë. Sepse ligji i dekriminalizimit nuk po merret me patentat, pasi ka plotë arsye dhe punë të tjera që të merret ky ligj”, tha deputeti i PDIU-së.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, autoriteti i vetëm që mund të vendosë për heqjen e mandatit të të zgjedhurve, nuk ka përcaktuar deri tani asnjë datë se kur mund të mblidhet për të marrë një vendim.

Top Channel