Goditen rrjetet që piratojnë sinjalin e “Digitalb” në Kosovë

21/12/2016 00:00

Në Kosovë po zhvillohet një super-aksion i koordinuar kundër piraterisë televizive, në dëm të platformës “Digitalb”.

Ky aksion i shtrirë në të gjithë territorin e vendit udhëhiqet nga Njësia e Krimeve Ekonomike në bashkërendim e bashkëpunim me policinë e Kosovës, që kanë përpiluar një skemë për të goditur fort këtë veprimtari të paligjshme.

Në sitën e kontrollit janë futur disa rrjete ilegale IPTV që piratojnë sinjalin e kanaleve të platfomës “Digitalb”, por edhe platformave dhe kanaleve të tjerë ndërkombëtarë në Kosovë. Ata ofrojnë në mënyrë të paligjshme kundrejt pagesës sinjalin e “Digitalbit” përmes procesit “card sharing”, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare prej miliona eurosh kësaj kompanie.

Ashtu si në Shqipëri edhe në Kosovë “Digitalb” po ndjek me përpikmëri goditjen e piraterisë televizive e mbështetur edhe nga strukturat ligjzbatuese në të dyja vendet që i janë përgjigjur apeleve të kompanisë “Digitalb” për të goditur të gjithë subjektet që piratojnë sinjalin televiziv dhe zhvillojnë këtë veprimtari ilegale që prodhon përfitime të paligjshme.

Top Channel