Revista xhihadiste, thirrje për sulme me automjete

20/12/2016 00:00

“Automjetet janë si thikat”. Kjo është një prej frazave që lexohet në revistën xhihadiste “Rumiyah”, e cila doli në treg në muajin shtator në 7 gjuhë, përfshirë edhe atë gjermane.

Siç pretendon “Die Welt”, autori i sulmit në tregun e Krishtlindjes në Berlin mund të jetë frymëzuar pikërisht nga kjo thirrje e ISIS-it.

E publikuar ndër të tjera edhe në gjuhën franceze, gjermane e turke, por jo atë arabe, revista me rreth 38 faqe u drejtohet luftëtarëve islamikë që duan të veprojnë në kontekste jo myslimane, ashtu siç kishte bërë edhe “Dabik”, revista zyrtare prej 80 faqesh e Shtetit Islamik.

Që prej titullit, ajo shfaqet si një lloj manifesti për lexuesit. “Rumiyah” është në fakt termi me të cilin thërritet në një thënie profetike “Roma dhe pushtimi i saj”, e në këtë rast simbolizon luftën e Shenjtë.

Kështu, me këtë pamflet, Shteti Islamik e kthen vëmendjen nga Perëndimi dhe nga ushtarët që do të aktivizohen në territoret e krishtera. Versioni në gjuhën gjermane këmbëngul te një ide: Gjaku i jobesimtarëve është i ligjshëm, qofshin ata njerëz të thjeshtë, murgj apo priftërinj.

Një detaj në veçanti bën të mendosh se atentatori i Berlinit mund të jetë frymëzuar te revista xhihadiste. Në një pasazh thuhet se “automjetet janë si thikat, mund të sigurohen lehtësisht dhe në të njëjtën kohë të jenë një prej metodave më vdekjeprurëse të sulmeve”. Apeli përfundimtar është për të vepruar në aksione të izoluara e jo të koordinuara.

Top Channel