Duterte: Kam vrarë për t’i treguar policisë si të bëjnë punën

17/12/2016 00:00

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, ka konfirmuar për BBC se ka vrarë tre persona në kohën kur ishte kryebashkiak i Davao-s. “Kam vrarë tre prej tyre…nuk e di se sa plumba që kam qëlluar i kanë përshkuar trupat e tyre, por kjo ka ndodhur dhe unë nuk mund të gënjej”.

Deklarata vjen disa orë pasi zëdhënësi i tij kishte mohuar se Duterte personalisht kishte vrarë ndonjë njeri. Polemikat nisën të mërkurën, në pallatin presidencial, ku Duterte u tha një grupi biznesmenësh: “Në Davao, unë i vrisja vetë, me qëllim që t’i tregoja policisë se kur e bëja unë një gjë të tillë, edhe ata mund ta bënin. Unë, endesha nëpër qytet me një motor, patrulloja nëpër rrugë dhe kur shihja një shkelje, reagoja”.

Duterte ka qenë kryebashkiak i qytetit jugor për dy dekada, gjatë të cilave ai fitoi reputacionin e një njeriu që me brutalitet goditi krimin dhe u akuzua po ashtu se financonte skuadrat e vdekjes.

Duterte ka premtuar se do të luftojë pa kompromis trafikantët e drogës ndërkohë që rreth 6 mijë persona janë vrarë nga policia, skuadrat e vullnetarëve apo mercenarë në Filipine, që nga maji. Kritikët thonë se Duterte, ka inkurajuar policinë dhe të tjerët, që të qëllojnë mbi trafikantët dhe përdoruesit pa paralajmërim.

Vetë Duterte mohon të ketë qenë i varur nga droga, pavarësisht se ka përdorur qetësuesin e fuqishëm Fentanyl. “Unë nuk jam i varur nga droga. Ilacin e merrja me recetë”, tha ai duke sqaruar se vuante nga migrena dhe se kishte probleme me shtyllën kurrizore. Fentanyli ndërkohë mund të shkaktojë konfuzion, ankth e madje edhe halucinacione, por zëdhënësit e Dutertes kanë hedhur poshtë pretendimet se presidenti ishte prekur nga këto efekte anësore.

Top Channel