Tragjedia e “EgyptAir” mbi Mesdhe, gjenden gjurmë eksplozivi

15/12/2016 00:00

Hetimet për rrëzimin e një avioni të “Egypt Air” mbi Mesdhe gjatë majit të këtij viti kanë zbuluar gjurmë eksplozivi në trupat e viktimave të aksidentit ajror.

Tashmë pritet të nisë një hetim penal mbi rrëzimin e “Airbus A320”, njoftoi Ministria egjiptiane për Aviacionin Civil përmes një deklarate.

Fluturimi “MS804” që ishte nisur nga Parisi me destinacion Kajron ra në ujërat e Mesdheut më 19 maj, duke lënë të vdekur të 66 personat në bord. Shkaku i atij rrëzimi mbetet ende i paqartë, pasi nga pilotët nuk ishte lëshuar asnjë sinjal shqetësimi, ndërkohë që është zbuluar nga regjistruesi i zërit në kabinën e drejtimit se pilotët kanë luftuar për të shuar flakët e një zjarri.

Mesazhet elektronike të dërguara automatikisht nga avioni tregojnë se detektorët e tymit në tualete kishin dalë jashtë funksionit, sikurse edhë në zonën mes kabinës dhe pasagjerëve, vetëm pak minuta përpara se avioni të rrëzohej.

Mbetjet e rikuperuara shfaqin shenjat e shkatërrimit të shkaktuar nga temperatura tepër të larta, ndërsa në sektorin e përparëm të avionit nuk ka pasur mbetje tymi apo bloze.

Edhe pse fillimisht u dyshua se rrëzimi i tij mund të kishte ardhur si pasojë e një akti terrorist, asnjë grup nuk e ka marrë përsipër atë ngjarje. Në bordin e atij avioni ishin 40 egjiptianë, përfshi ekuipazhin prej 10 vetësh, si dhe 15 francezë.

Top Channel