Rekordi i luftës ndaj drogës, Duterte: Ndalet nëse nuk përdoren më lëndët narkotike

13/12/2016 00:00

Lufta kundër drogës e presidentit të Filipineve, Rodrigo Duterte, e ka çuar numrin e viktimave në 6.927 në vetëm 5 muaj dhe, sipas tij, e vetmja mënyrë për të ndalur këtë masakër është të mos përdoret më droga.

Udhëheqësi radikal këmbëngul se nuk është një vrasës, pavarësisht se rrugët e vendit janë mbushur me trupa të pajetë në vazhdën e raprezaljes së tij ndaj lëndëve narkotike të paligjshme. Presidenti Duterte tha se, ai nuk do ta ndërpresë operacionin e tij, por do të lejojë qytetarët që t’u gëzohen Krishtlindjes dhe Vitit të Ri në paqe, nëse njerëzit reshtin së përdoruri lëndët narkotike.

“Ata thonë se ka pasur shumë vrasje, ekzekutime etj. A doni që kjo të ndalojë? Është e thjeshtë. Ju përdorues droge duhet të ndaleni! Ndaloni dhe do të ketë një Vit të Ri dhe Krishtlindje të paqta”, është shprehur Duterte.

Policia publikoi të hënën shifrën prej 5.927 të vdekurve lidhur me luftën ndaj lëmdëve narkotike në Filipine që nga 1 korriku. Pjesë e platformës së presidentit Duterte ishte lufta ndaj drogës, kartë me të cilën ai u zgjodh president në maj.

Në korrik, 60 mijë filipinas narkomanë u vetëdorëzuan tek autoritetet, pasi presidenti u kërkoi qytetarëve që të dilnin dhe të vrisnin trafikantët dhe përdoruesit e drogës. 2.086 persona janë vrarë në operacione policore, ndërsa 3.841 të tjerë janë vrarë nga grupe që paguhen me parà në duar për çdo vrasje të konfirmuar.

Më shumë se 40 mijë të dyshuar janë arrestuar, por presidenti ka bërë të qartë se do të mbrojë policët nëse akuzohen për shkelje të të drejtave të njeriut, ndërsa janë duke zbatuar urdhrat e tij të pamëshirshëm. Vet Duterte ka prëmtuar se do të vrasë 100 mijë përdorues dhe trafikantë droge, e do ta mbushë gjirin e Manilës me trupat e tyre.

Top Channel