Negociatat, Meta: Presim përgjigje pozitive

12/12/2016 00:00

Vetëm pak orë përpara se ministrat e Jashtëm të vendeve anëtarë të shprehen për çeljen e negociatave për Shqipërinë, kreu i Kuvendit, Ilir Meta është optimist që përgjigjja e Këshillit të Europës do të jetë në një linjë me rekomandimet e nëntorit.

“Ne presim që Gjykata Kushtetuese të japë gjykimin e saj sa më parë të jetë e mundur dhe më pas të ecet me implementimin e ligjit të Vettingut dhe të gjithë reformës në drejtësi, në mënyrë që kjo reformë jo vetëm të na ndihmojë për të përshpejtuar çështjen e negociatave për anëtarësim në BE”, tha Ilir Meta, kryetar i Kuvendit.

Në ditën kur Komisioni i Venecias publikoi zyrtarisht gjykimin për ligjin e Vettingut, Ilir Meta i drejtoi një thirrje Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar sa më parë gjykim prej kësaj të fundit për t’i hapur rrugë implementimit të saj dhe të të gjithë paketës së reformës në drejtësi.

“Jemi përpara vlerësimit të Këshillit të vendeve anëtare, që shpresojmë të jetë në një linjë me rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian”, tha Meta.

I pyetur nga Top Channel për kërkesat e LSI-së për ndryshime në kodin zgjedhor, Ilir Meta tha se Komisioni i Posaçëm për reformën zgjedhore duhet ti përgjigjet vetëm rekomandimeve të OSBE/ODHIR.

Të enjten në kuvend pritet të votohet edhe kërkesa e PS për ta shtyrë edhe me 60 ditë punën e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, duke iu dhënë palëve më shumë kohë për të reflektuar për kërkesat e tyre.

Top Channel