Trump zgjedh manjatin pro-rus sekretar të Shtetit?

10/12/2016 00:00

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka caktuar si sekretar të Shtetit 64-vjeçarin Rex Tillerson, numri 1 i gjigandit energjitik “Exxon Mobile”.

Lajmin e bën të ditur rrjeti informativ NBC, por për momentin nuk ka një konfirmim zyrtar.

Pas tërheqjes së ish-kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Giuliani, Tillerson kishte dalë si kandidati favorit edhe krahas ish-kandidatit për Shtëpinë e Bardhë, republikanit Mitt Romney, që ka patur takime të shumta me Trump.

Pronari i “Exxon” dhe presidenti i zgjedhur janë takuar këtë të shtunë. Emri i tij ka dalë edhe pse Trump kishte deklaruar se do të donte ta shpallte emërimin e sekretarit të Shtetit javën e ardhshme.

Tillerson, i cili në vitet e fundit ka nënshkruar shumë marrëveshje në fushën e energjisë me presidentin rus Vladimir Putin, është kundër sanksioneve ndaj Rusisë.

Me origjinë nga Teksasi, ai drejton kompaninë “Exxon” që prej vitit 1975. Nga viti 2006 është president dhe administrator i deleguar i grupit. Dalja e tij në pension parashikohet të ndodhë vitin e ardhshëm.

Mes opsioneve të tjera për postin e shefit të diplomacisë amerikane figuronin emrat e ish-shefit të CIAS, David Petraeus; ish-administratori i deleguar i “Ford”, Alan Mulally; senatori Bob Corker; kongresmeni Dana Rohrabacher dhe ish-ambasadori amerikan në OKB, John Bolton, i cili mund të bëhet zëvendësuesi i Tillerson.

Top Channel