Ryan takohet me Trump, hidhen piketat e muajve të parë të Presidencës

09/12/2016 00:00

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan ka pasur një takim “tepër emocionues” me presidentin e zgjedhur Donald Trump, në kullën e tij në Nju Jork gjatë kësaj të premteje.

“Ndihem vërtet i gëzuar për ardhjen këtu dhe për takimin me presidentin e zgjedhur. Zhvilluam një takim të rëndësishëm, në të cilin folëm për tranzicionin tonë. Jemi të emocionuar gjithashtu dhe mezi presim t’i futemi punës në fillim të 2017-s, për ta futur sërish në shina këtë vend”, tha Ryan pas takimit.

Republikani nga Wisconsin dhe manjati i pasurive të paluajtshme thuhet se kanë diskutuar mbi prioritetet politike dhe legjislative që do të ndjekin gjatë muajve të parë të Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë, sipas burimeve me informacione nga takimi. E duket se, objektivat kryesore të tij janë zhbërja e “Obamacare”, sigurimi i kufirit dhe shtysa nxitëse e ekonomisë.

Udhëheqësit republikanë duket se kanë hedhur bazat e para për implementimin e kësaj axhende, duke skicuar një kalendar të ngarkuar për 2017-n në Capitol Hill për t’i kaluar ligjet me shpejtësi. Republikanët e Dhomës dhe Senatit madje janë duke kufizuar edhe periudhat e tyre të pushimit.

Ryan dhe Trump flasin thuajse përditë në telefon, ndërkohë që janë takuar me njëri-tjetrin në Uashington pas zgjedhjeve. Ryan ka qenë gjithashtu në kontakte të vazhdueshme me zv.presidentin e zgjedhur, Mike Pence, ish-anëtar i Dhomës, i cili do të marrë një rol tepër aktiv në situatën e tranzicionit por edhe në planifikimin e politikave.

Top Channel