Nigeri, dy nxënëse kamikaze vrasin 30 persona. 57 të plagosurit

09/12/2016 00:00

Dy nxënëse shkolle të kthyera në kamikaze kanë lënë 30 të vrarë dhe disa të plagosur në një sulm të koordinuar në një treg të mbipopulluar në qytetin verilindor të Nigerisë, Madagali, sipas asaj që njofton një zëdhënës i ushtrisë këtë të premte.

Ngjarja tronditëse mban vulën e grupit të militantëve islamikë të Boko Haramit, të cilët kanë ndërmarrë një valë sulmesh anembanë vendit me synimin për të krijuar një shtet nën ligjet me interpretimet më strikte të ligjeve myslimane. Megjithatë, ende askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë e këtij sulmi.

“Sulmi në Madagali është kryer nga dy nxënëse shkolle. Ato aktivizuan dy bomba në të njëjtën kohë, duke shkaktuar vdekjen e 30 personave, përfshi këtu edhe vet ato”, tha majori Badare Akintoye, zëdhënës i një njësie ushtarake të dislokuar në qytetin Mubi.

Sipas tij, 57 persona të tjerë mbetën të plagosur në sulmet me bomba të ndodhura në shtetin Adamawa. Boko Haram ka shënjestruar rregullisht zonat e mbipopulluara, të tilla si marketet, vendet e lutjes dhe kampet e refugjatëve, përmes formave të vetëvrasjes në verilindje të Nigerisë, por edhe në Kamerun dhe Niger.

Grupi xhihadist ka vrarë rreth 15 mijë njerëz deri më sot, si dhe ka detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre mbi dy milionë njerëz.

Ushtria nigeriane i ka zhvendosur militantët e këtij grupi drejt bastionit të tyre në pyjet Sambisa, përgjatë muajve të fundit. E megjithatë, sulmi i së premtes tregon edhe njëherë aftësinë e Boko Haramit për të ndërmarrë sulme, edhe pse shpeshtësia e tyre tashmë ka rënë.

Top Channel