“Rosneft” shet 19.5% të aksioneve për 11.3 mld dollarë

08/12/2016 00:00

Kremlini ka njoftuar kompania tregtare e artikujve të përdorimit të gjerë “Glencore, si dhe fondi sovran i investimeve të Katarit do të blejnë 19.5% të aksioneve të kompanisë më të madhe të naftës në Rusi, “Rosneft”.

“Kjo është marrëveshja më e madhe e privatizimit, si dhe shitblerja më e madhe e kryer në sektorin e naftës dhe gazit natyror gjatë vitit 2016”, tha presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Lëvizja e papritur do të shohë “Glencore” dhe fondin nga Katari të paguajnë 11.3 miliardë dollarë për aksionet e “Rosneft”-it, aty ku edhe “British Petroleum” zotëron 19.75% të aksioneve. Moska, gjithsesi, do të mbajë pjesën më të madhe të tyre, e rrjedhimisht edhe kontrollin.

Shitja e planifikuar prej një kohe të gjatë është pjesë e përpjekjeve të qeverisë ruse për të privatizuar disa asete shtetërore, për të ndihmuar kështu balancimin e buxhetit për shkak të recesionit dyvjeçar, të shkaktuar nga rënia e çmimeve globale të naftës dhe nga sanksionet e Perëndimit.

Afati i vendosur fillimisht për shitjen u kalua, duke rritur spekulimet se “Rosneft”-i nuk po gjente dot blerës. Marrëveshja shënon gjithashtu një kthesë të papritur për “Glencore”, kompani e kuotuar në Bursën e Londrës, e cila ka përjetuar një rënie të vlerës së aksioneve të saj pas planeve për shitjen e aseteve dhe shkurtimin e borxheve kolosale.

Aksionet e “Glencore” kanë pësuar rritje gjatë këtij viti, pasi Autoriteti i Investimeve të Katarit rezulton një prej investitorëve më të mëdhenj në këtë kompani.

Duke folur në një takim, – të transmetuar edhe në televizion, – me shefin ekzekutiv të “Rosneft”-it, Igor Sechin, Putin theksoi se marrëveshja vjen mes rritjes së çmimit global të naftës pas vendimit të “OPEC”-ut për të ulur prodhimin.

Top Channel