Ndotja e ambientit, alarmante në Europën perëndimore

08/12/2016 00:00

Pjesë të Europës perëndimore po regjistrojnë shifra alarmante për sa i përket ndotjes së ambientit në vite të tëra.

Në Paris, ndotja e ajrit ka arritur nivelet më alarmante të kohëve të fundit, e për të katërtën herë në 20 vite, kryeqyteti francez ka vënë në fuqi kufizime të trafikut, duke ndaluar në ditë të caktuara qarkullimin e makinave me targa teke dhe në ditë të tjera qarkullimin e makinave me targa çifte.

Për të parën herë, edhe Lioni po bën të njëjtën gjë, ndërkohë që qindra e mijëra vizitorë pritet të mbërrijnë në qytetin francez për Festivalin e përvitshëm të Dritave.

Sasia e grimcave të rrezikshme që rritet çdo ditë ka bërë që të rritet presioni për reduktimin e emetimeve që ndotin ajrin. Ashtu si Parisi, edhe Lioni do të ofrojë transportin publik pa pagesë.

Sipas Agjencisë europiane të Ambientit, Italia ka regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve të parakohshme në vit, si pasojë e dioksidit të nitrogjenit, që çlirohet nga makinat me naftë. Britania e Madhe është e dyta në renditjen e publikuar muajin e shkuar, që veçon një pjesë të Londrës, si vendin më të keq në Europë për sa i takon gazrave toksike, edhe pse një sistem i veçantë taksimi është implementuar për makinat që hyjnë në qytet prej një dekade.

Pjesë të Belgjikës, përfshirë Brukselin, po ashtu kanë shënuar një rritje të ndjeshme të ndotjes, si pasojë e makinave. E përveç kësaj, situata përkeqësohet më tej edhe si pasojë e kushteve të motit, ku mungesa e erës, e kombinuar me ajrin e ftohtë që qëndron nën rrymat e ngrohta, shërben si bllokues i ajrit të ndotur.

Top Channel