Libi, forcat qeveritare marrin kontrollin e bastionit të ISIS, Sirte

06/12/2016 00:00

Forcat libiane kanë përndjekur xhihadistët e të ashtuquajturit Shtet Islamik edhe në qytetin Sirte, prej nga ku i kanë zmbrapsur duke e rikthyer këtë bastion të tyrin sërish në duart e qeverisë.

Luftëtarët xhihadistë thuhet se janë “fshehur në më pak se 10 shtëpi” në rajonin bregdetar të Al Giza al Bahriya. Forcat e qeverisë pro unitetit shpallën kontrollin e plotë të Sirtes të hënën, pasi ish-zona e kontrolluar nga ISIS kaloi në duart e luftëtarëve të mbështetur nga OKB.

Gjithsesi, një zëdhënës i tha BBC-së se ende nuk mund ta deklarojnë fitoren. “Ata kanë marrë tashmë kontrollin e zonës së fundit, por kjo nuk nënkupton që operacionet ushtarake kanë përfunduar”, tha Ahmed Hadia, zëdhënës operativ.

Hadia shtoi se forcat e mbështetura nga sulmet ajrore amerikane duhet të fokusohen tashmë në “krehjen e qytetit” për të gjetur edhe xhihadistin e fundit të mbetur aty.

Sirte ka qenë bastion i ekstremistëve që prej rënies së tij në qershor të 2015-s, e vazhdimisht është shfaqur në videot e propagandës së Shtetit Islamik si baza kryesore e tyre jashtë Sirisë dhe Irakut.

Por grupi u detyrua të zmbrapsej në një periferi të vogël në fund të tetorit, pas një beteje 7-mujorshe të forcave proqeveritare për kontrollin e qytetit.

Top Channel