Basha në Has: Arsim për fëmijët, bukë për çdo familje

05/12/2016 00:00

Lulzim Basha ishte në zonën e Hasit, ku u njoh nga afër me problemet e banorëve dhe denoncoi mungesën për punësim e shkollim, duke thënë se kësaj gjendjeje do t’i jepet fund dhe në Shqipëri do ndërtohet një klimë ku do mbizotërojë meritokracia dhe barazia përpara ligjit.

“Këtu, sado i aftë dhe i përkushtuar ndaj punës dhe zanatit tënd të jesh, shteti është ai që vendos nëse do të ecësh përpara apo jo, do të kapesh pas shtetit, do të kapesh pas drejtorëve, do të kapesh pas ministrave. Duhet të kapesh pas kryeministrit që të bësh përpara, vetë nuk bën dot përpara”, deklaroi Basha.

Ai iu përgjigj edhe ankesës së banorëve për rritjen e çmimit të miellit dhe druve për ngrohje.

“Pse është thesi i miellit këtu dyfish më i shtrenjtë se përtej Qafës së Prusht?! Pse? Sepse ka monopole. Sepse Edi Rama ka vendosur që në Shqipërinë e 2016-s mielli, buka, sheqeri, vaji, nafta të mos tregtohen siç tregtohen kudo në botë, me rregullat e tregut të lirë, por t’ua jape një grusht njerëzish, një grusht njerëzish të kenë mundësinë dhe çdo kush tjetër që futet në treg ndëshkohet, penalizohet, me gjoba, me kontroll, me xhandar, me tatimor, me doganier”, tha Basha.

Por a është gati Lulzim Basha të ofrojë një zgjidhje për situatën?

“Po, jemi gati duke njohur hallet tuaja, duke i pranuar ato, duke pranuar edhe pjesën tonë të përgjegjësisë për sa na takon. Jemi gati, duke i kuptuar, duke i ndjerë si hallet tona e jo duke jetuar në një botë të veçuar nga hallet tuaja. Jemi gati sepse kemi zgjidhje, zgjidhje plotësisht të realizueshme, jo dëngla me shëndetësi falas dhe me premtime boshe që u përdorën vetëm për të marrë votat”, tha Basha.

Top Channel