Austri, mposhtet ekstremisti i djathtë. BE entuziazmohet nga rezultati

05/12/2016 00:00

Kandidati i ekstremit të djathtë, Norbert Hofer ka dalë i humbur nga zgjedhjet e përsëritura presidenciale në Austri. Në rrjetin social “Facebook”, ai e përshkroi veten si “pafundësisht të trishtuar”, ndërkohë që përgëzoi rivalin e tij, Alexander Van der Bellen, ish-kreun e “të gjelbërve”, për fitoren e arritur.

Edhe pse posti i presidentit është kryesisht ceremonial në Austri, zgjedhjet ishin një provë e mirë sesi mund të konsiderohen lëvizjet populiste dhe kandidatët e tyre në vendet e tjera të Europës.

Van der Bellen e quajti rezultatin e  tyre si një votë për “Austrinë proeuropiane” bazuar mbi “lirinë, barazinë dhe solidaritetin”. Duke iu referuar flamurit austriak, ai tha se “një sinjal kuqebardhë (i kuq, i bardhë e sërish i kuq) shprese dhe ndryshimi, nga dita e sotme shkon drejt të gjithë kryeqyteteve të vendeve të Bashkimit Europian”.

“Në fund, ju e dini, do të përpiqem të jem i hapur dhe liberal. Mbi të gjitha do të jem një president federal proeuropian i Republikës së Austrisë”.

Votimi i së dielës ishte një përsëritje e zgjedhjeve të majit, të cilat Van der Bellen i fitoi ngushtësisht, por procesi i atëhershëm kishte shënuar parregullsi me votën postare. Që prej atëherë, presidenti i ri tha se ka pasur ndryshime domethënëse në botë, duke iu referuar “Brexit”-it dhe zgjedhjeve amerikane, e mbi të gjitha një interes gjithmonë e më të madh ndaj politikës, duke u kthyer në “një lëvizje tepër të gjerë zgjedhore”.

Në maj, ai fitoi me 30 mijë vota më shumë, ndërkohë që tashmë diferenca me ekstremistin e djathtë është dhjetëfishuar.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian mirëpritën rezultatin, i cili është sinjali i parë pozitiv mes frikës së populizmit që ka minuar paritë partiake në shumë vende të Europës.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk dërgoi “urimet e përzemërta”, ndërsa zëvendëskancelari gjerman socialdemokrat, Sigmar Gabriel e quajti rezultatin “një fitore e qartë kundër populizmit të ekstremit të djathtë”. Presidenti francez, François Hollande falënderoi Austrinë që zgjodhi “Europën dhe të qenit mendjehapur”.

Franca, Holanda dhe Gjermania do të përballen me zgjedhje kombëtare, presidenciale apo parlamentare, vitin e ardhshëm, zgjedhje në të cilat partitë kundër rrymës dhe antiemigracion janë duke fituar terren. Megjithatë, rezultati i Austrisë surprizoi shumëkënd. Sondazhet përpara votimit të së dielës sugjeronin se rezultati do të ishte tejet i ngushtë, por tashmë projeksionet japin fitues Van der Bellen me afro 53% të votave, përkundrejt 46% të siguruara nga Hofer.

Top Channel