Renzi pëson disfatë, dorëhiqet. Italianët u thonë “Jo” reformave kushtetuese

05/12/2016 08:20

Edhe pse detyrimi për t’i qëndruar premtimit të bërë nuk ishte veçse moral, Matteo Renzi dha dorëheqjen pas triumfit të “Jo”-së në referendumin që testoi qëndrimin e italianëve mbi planet e tij për reformimin e Kushtetutës.

Humbja e thellë ishte një grusht i rëndë për kryeministrin italian, që mori mbi vete të gjithë përgjegjësinë e këtij rezultati, ndërsa u shpreh se kampi “kundër” tani duhet të dalë me propozime të qarta.

“Vota ‘Jo’ fitoi mjaft bindshëm. U përcjell urimet e mia udhëheqësve të fushatës ‘Jo’. Shpresoj që të punojnë siç duhet në interes të këtij vendi e në interes të italianëve. Unë humba dhe e them fort e qartë, edhe pse më është mbledhur një lëmsh në grykë, sepse në fund të fundit nuk jemi robotë. Nuk arrita të fitoj, por ju lutem të më besoni kur them se bëra gjithë çfarë ishte e mundur në këto kushte”, tha Matteo Renzi.

Shumica e votave tashmë janë numëruar dhe fushata “Jo” kryeson me 60%, ndërsa “Po”-ja ka 40%. Pjesëmarrja, në votimin e konsideruar nga një pjesë e italianëve si mundësi për të shprehur pakënaqësinë ndaj kreut të ekzekutivit, ishte në nivelin 70%.

“Paçim fat të gjithë”, ishin fjalët e Renzit në konferencën për shtyp, ku sqaroi se do ta informojë zyrtarisht kabinetin në një takim pasditen e së hënës dhe do t’i paraqesë dorëheqjen presidentit të Italisë.

Veprimi i tij e ka trazuar ndjeshëm udhëheqësinë e BE-së. Renzi kishte mbetur i vetmi kryeministër në Europë me një vizion të fortë për të ardhmen e BE-së. Angela Merkel është shumë e zënë me menaxhimin e krizës së brendshme, ndërsa në Francë po fitojnë gjithmonë e më shumë terren euroskeptikët e Frontit Nacional. Tashmë, një rruge të paqartë po i hyn edhe Italia, ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës.

“Nuk besoj se do të ndodhë ndonjë gjë e madhe, është si lufta e Trumpit, e njëjta situatë edhe këtu. Gjërat do të rrjedhin si përherë. Të shpresojmë që po të ketë ndonjë ndryshim, ai të jetë për mirë”, tha Alessandro Angelini, banor i Romës.

“Unë votova ‘Jo’. Të shohim si do të shkojnë gjërat. Për momentin, situata duket shumë konfuze. Nuk e di çfarë na pret”, tha Giovanni Di Giorgio, banor.

“Të shpresojmë që do të bëhet më mirë. Deri tani na shkatërruan me atë reformën e pensioneve, ligjin ‘Fornero’. Ka qenë i tmerrshëm”, tha Luigi Canotta, banor.

Tregjet aziatike të aksioneve ishin të parat që reaguan ndaj lajmit të dorëheqjes së Renzit. Që të gjitha u çelën këtë mëngjes me humbje, teksa investitorët, ashtu si politikanët europianë i druhen faktit që triumfi i kampit “Jo” mund të shkaktojë paqëndrueshmëri politike dhe një rikthim të trazirave në sektorin bankar italian.

Top Channel