Analistët: Kushtetuesja të zbatojë rekomandimin

03/12/2016 00:00

Vetëm pak para mbërritjes së përgjigjies nga Komisioni i Venecias, lidhur me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e Vettingut, opinionisti Skënder Minxhozi shpreh bindjen se Gjykata nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, vetëm të vërë në zbatim atë rekomandim që do vij.

“Në të gjithë 2-vjetshin e diskutimit të reformës në drejtësi arbitri i vetëm për këtë reformë por dhe për ngjarje të tjera të rëndësishme sa herë që është pyetur për Shqipërinë, ka qënë komisioni i Venecias. Dhe këtë radhë ai do të jetë si një arbitër i paapelueshëm, sepse është një trup juristësh me shumë eksperiencë dhe unë besoj që e vetmja gjë që duhet bërë kur të vijë ajo përgjigje, është që ajo përgjigje të aplikohet”, tha Skënder Minxhozi.

Për konstitucionalistin Arjan Vasjari, Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar dhe kërkesës së Partisë Demokratike, ka të gjithë mundësitë që të vendosë që ligji të hyjë në fuqi menjëherë.

“PD në ankimimin e saj në Gjykatën Kushtetuese nuk e ka te objekti por arsyetimi i objektit PD nënvizon që Vettingu në këndvështrimin e saj është një ligj që cënon liritë dhe të drejtat e individit. Duke pasur parasysh këtë si element unë them që Gjykata Kushtetuese e ka plotësisht të mudnshme ta konsiderojë, sepse jemi në kushtet e nevojës për të hyrë sa më shpejtë në fuqi, ka hapësirën që vendimin e saj ta konsiderojë që hyn në fuqi ditën e shpalljes dhe të mos presë afatin 15 ditor të botimit të saj në Fletoren Zyrtare”, thotë Vasjari.

Mustafa Nano duke nënvizuar se kjo reformë është një ndër me jetikët në vend, ka dhe pritshmëritë e tij për Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse do të vendosin ta sabotojnë këtë reformë, dhe mendja mua më shkon se ata janë zhytur shumë thjellë në zullume, se nuk shoh arsye të tjera. Po duke qënë se unë kam menduar vazhdimisht që Gjykata Kushtetuese është nga të paktat struktura kushtetuese që është korrekte, ka manifestuar një lloj integriteti edhe profesional dhe moral, do të isha shumë i shokuar të më rezultonte ndryshe. Ky është rasti që kjo strukturë të tregojë se është ajo që kemi menduar dhe jo strukturë tjetër”, thotë Nano.

Top Channel