Dule: Jo koalicion me PS. Kritika për Ramën

03/12/2016 00:00

“Sërish do të kërkojmë aleanca. Jo merkato dhe jo tregje të hapura. Nuk do të hezitojmë që të lidhim marrëveshje paraelektorale”, ka deklaruar në Konventën e PBDNJ, kreu i saj Vangjel Dule.

Ai ka qënë i qartë në këtë vendim, për të mos i pritur vetëm zgjedhjet e 2017-ës, duke qënë i hapur për të garuar në një koalicion nga i cili ka përjashtuar mundësinë e një ri-afrimi me PS.

“Qëndrimi i PS ose i Rilindjes, është një qëndrim i paprecedentë përballë PBDNJ-së. Këtë e ndjejnë edhe vetë socialistët e thjeshtë, këtë qëndrim të pakuptimtë nga ana e kryeministrit Rama, i cili reflekton thjeshtë preferencat dhe qëndrime të tijat individuale”, deklaron Dule.

I pyetur nga Top Channel për një qëndrim mbi marrdhëniet Shqipëri-Greqi pas deklaratave të një dite më parë të ministrit grek të mbrojtjes, Vangjel Dule e drejtoi sërish gishtin tek kreu i qeverisë shqiptare dhe deklaratave të bëra prej këtij të fundit. Për kreun e PBDNJ-së, Greqia ka qënë dhe mbetet avokate e Shqipërisë.

“Më shumë se kurrë, në moment ku ka deklarata që disa herë nga të gjitha palët mund të kalohen edhe vijat tradicionale, dëshmohet se miqësia mes popullit shqiptar dhe atij grek është e pandikueshme nga cdo qeveri. Greqia ka bërë, me prova, pavarësisht se dikush me qëllimet e veta mikro-partiake, përfshirë kryeministrin Rama, ka kërkuar ta eklipsojë këtë fakt, avokatinë më sistematike në proceset integruese për vendin tonë”, tha Dule.

Top Channel