1914, kur futbolli ndalonte luftën…

02/12/2016 00:00

Lufta e Parë Botërore do të mbahet mend gjithmonë për mizorinë e saj, me 9 milionë jetë të humbura në betejë dhe rreth 7 milionë të tjerë si civilë.

Gjithçka filloi më 28 korrik 1914 dhe përfundoi më 11 nëntor 1918. Një konflikt si ky nuk ishte parë kurrë më parë në histori. Rreth 65 milionë njerëz morën armët dhe u përfshinë në këtë luftë.

Ishte me të vërtetë një konflikt global, nga brigjet e Amerikës deri tek territoret e Azisë. Ishte një luftë që ndryshoi natyrën e vetë luftës. Por megjithatë, një copëz humanizmi mbijetoi në gjithë atë errësirë.

Ishte Krishtlindja në Frontin Perëndimor kur diçka e çuditshme ndodhi. Në orët e vona të vigjiljes së Krishtlindjes trupat britanike dëgjuan ato gjermane në llogoret përballë duke kënduar këngë festash dhe patriotike dhe panë fenerë të ndezur.

Britanikët, fillimisht ngurrues, u bashkuan me ta. Ishte fillimi i një armëpushimi jozyrtar në Frontin Perëndimor, që u njoh si “Armëpushimi i Krishtlindjes”.

Ditën tjetër, më 25 dhjetor, gjermanët ftuan britanikët të takoheshin në një territor neutral. Fillimisht ishullorët dyshuan se gjermanët do të përpiqeshin t’i vrisnin, por kur shkuan i gjetën ata të çarmatosur.

Të dyja palët shtrënguan duart, shkëmbyen dhurata, kënduan, bënë fotografi, shkëmbyen ushqime dhe suvenir. Së bashku ata gjithashtu varrosën viktima të luftës dhe riparuan disa llogore të dëmtuara.

Por gjëja më e çuditshme është se ranë dakord për një ndeshje futbolli Britani-Gjermani. Ishte 1 janari i vitit 1915, kur një major britanik, në kushte anonime, i shkroi gazetës “The Times” se një regjiment anglez kishte luajtur një ndeshje futbolli me saksonët, të cilët i kishin mundur 3-2.

Kjo ishte ndeshja e vetme e futbollit e luajtur në “tokën e askujt” gjatë Luftës së Madhe. Ishte një situatë e paparë më parë në fushë betejë. Në nder të kësaj ndeshjeje është ngritur dhe një memorial i njohur si “Armëpushimi i Krishtlindjes”, në Frelinghien të Francës.

Vlen të theksohet se asokohe, me të marrë vesh çfarë kishte ndodhur, komandantët e ushtrive të përfshira në luftë morrën masa të rrepta që armëpushime të tilla të mos përsëriteshin.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel