Trump, tur falenderimesh nga Ohio. Në Indiana, lavde biznesit që ruajti 1.000 vende pune

01/12/2016 00:00

Përpara se të nisë turin e falenderimeve për fitoren e tij, Presidenti i zgjedhur Donald Trump është ndalur në Indiana, ku ka lavdëruar një marrëveshje të një kompanie vendase kondicionerësh, që shpëtoi rreth 1.000 vende pune duke mos e transferuar linjën e prodhimit në Meksikë. Në këmbim, kompania do të marrë një paketë prej 7 milionë dollarësh ulje taksash për 10 vitet e ardhshme.

Trump do të udhëtojë më pas në Ohio, aty ku edhe do të nisë zyrtarisht turi i falenderimit të mbështetësve të tij. “U ndala këtu, sepse është një çështje dashurie. Ky shtet ka qenë tejet special për ne”, tha Trump në fabrikën e “Carrier” në Indianapolis.

Trump dhe zv.presidenti i zgjedhur Mike Pence, apo guvernatori në largim i Indianës, ndërmjetësuan marrëveshjen me “Carrier” për të ruajtur vendet e punës, pasi kompania njoftoi planet e saj për t’i zhvendosur operacionet e saj në jug të kufirit.

Miliarderi njujorkez është angazhuar përgjatë fushatës se nuk do t’i lejojë kompanitë amerikane t’i zhvendosin funksionet e tyre jashtë shtetit, por u shpreh se nuk e mbante mend që u kishte bërë një premtim të tillë punonjësve të “Carrier”, derisa pa një intervistë me një prej të punësuarve të kompanisë në një program televiziv.

Marrëveshja raportohet se do të shpëtojë humbjen e rreth 800 vendeve të punës, të cilat do të ishin hapur në Meksikë më pas, si dhe 300 pozicione kërkuesish dhe administrate të kësaj kompanie. Megjithatë, plot 1300 vende pune do të transferohen sërish në jug të kufirit të SHBA-ve.

Incetiva prej 7 milionë dollarësh në taksa është gjithashtu kontigjent i faktorëve “përfshi punësimin, ruajtjen e vendeve të punës dhe investimeve kapitale”, thuhet në deklaratën e “Carrier”. Veç uljes së taksave, kjo kompani dhe ajo mëmë “United Technologies” kanë rënë dakord të investojnë 16 milionë dollarë për të përmirësuar impiantin, siç konfirmoi Trump.

Trump theksoi edhe njëherë premtimin se do t’ua ulë taksat biznesit dhe do të përmirësojë rregullat, por shtoi se “kompanitë nuk do të munden të largohen nga Shtetet e Bashkuara, pa u përballur me pasoja”.

Presidenti i zgjedhur do të udhëtojë më pas në Cincinnati të Ohios, aty ku do të organizohet një miting në “US Bank Arena”, i njëjti vend ku Trump mblodhi një turmë prej 15 mijë njerëzish në një tubim të rreptë gjatë fushatës, në fund të tetorit. Mitingje të ngjashme ai do t’i mbajë edhe në shtetet kyçe, si Iowa, Pennsylvania, Florida, North Carolina dhe Michigan, gjatë javëve të ardhshme.

Top Channel