Presidentja e Koresë së Jugut: Parlamenti të vendosë për largimin tim

29/11/2016 00:00

Presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye ka bërë të ditur se i ka kërkuar Parlamentit ta ndihmojë atë për hapat që duhet të ndjekë drejt një dorëheqjeje të mundshme. Park është përballur me thirrje gjithnjë e në rritje për t’u larguar nga pushteti, për shkak të një hetimi nëse ajo ka lejuar apo jo një mikeshë për të ndikuar në vendimet politike për përfitime personale.

Presidentja njoftoi se “do t’ia linte gjithçka në dorë Parlamentit mbi të ardhmen e saj, përfshi këtu edhe ndërprerjen e parakohshme të mandatit”, megjithatë nuk dëshiron që ta bëjë diçka të tillë duke krijuar një vakum në pushtet.

Parlamenti pritet të diskutojë të premten mbi atë nëse ajo do të përballet apo jo me një votëbesim për t’iu nënshtruar më pas hetimeve. Disa politikanë në partinë qeverisëse kanë thënë se presidentja duhej “të largohej me nder”, përpara se të arrinte në këtë pikë. Ndërkohë, partitë opozitare e akuzojnë atë se po përpiqet tashmë t’i shmanget gjykimit.

Park ka kërkuar dy herë falje deri më tani, teksa ka thënë se “i është thyer zemra” nga kriza politike që po vërtitet rreth saj, megjithatë ka refuzuar të japë dorëheqjen deri më sot.

Në fjalimin televiziv të së martës, i treti i saj që prej raportimit të skandalit, Park tha se do të largohet “sapo ligjvënësit të mund të sjellin masat për të transferuar pushtetin në një mënyrë që të mos lihet asnjë vakum apo të mos krijohet kaos në qeverisje”.

Një zëdhënës i Partisë Demokratike në opozitë, Youn Këan-suk tha se fjalimi i saj ishte një “truk”, të cilit “i mungonte reflektimi”.

“Populli kërkon prej saj dorëheqjen e menjëhershme dhe jo zvarritjen apo kalimin e përgjegjësisë te Parlamenti”, tha ai për agjencinë e lajmeve “Yonhap”.

Top Channel