Rama falënderon Merkelin për mbështetjen

28/11/2016 00:00

Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, kryeministri Edi Rama ka falënderuar Kancelaren gjermane, Angela Merkel, për atë që ai e cilëson si mirëkuptim të plotë dhe mbështetje, që Gjermania i ka dhënë dhe do t’i japë Shqipërisë edhe në dhjetor, kur të mblidhet Këshilli i Europës për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm drejt çeljes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë.

“Faleminderit Kancelares Merkel për mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen, që Gjermania i ka dhënë e do t’i japë Shqipërisë edhe në dhjetor”, ka shkruar kryeministri.

Reagimi i kryeministrit Rama ka ardhur vetëm pak momente pas konferencës së përbashkët për shtyp mes tij dhe homologes gjermane, nga Mynihu ku gjendet për një vizitë zyrtare i ftuar nga Merkel.

Ndërkohë, përmes një statusi tjetër në rrjetin social Twitter, Rama ka thënë: “Kancelarja Merkel përshëndeti arritjet e shënuara në Raportin e KE & nënvizoi mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në rrugën e integrimit”.

Në konferencë, kancelarja gjermane dha një mesazh të qartë për Tiranën zyrtare, duke thënë se “Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën e reformave që ka nisur, në mënyrë që të avancojë në procesin e integrimit europian”. Ndërkohë, kryeministri Rama vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë për “krijimin e kushteve për t’i dhënë paqes në Ballkan një cilësi të re bashkëpunimi rajonal”, por rezervoi edhe një apel për BE-në.

“Procesi i Berlinit është kthyer në një hapësirë të re komunikimi në rajonin tonë. Kjo situatë premtuese në rajon lidhet me fuqinë e madhe tërheqëse që Europa ka për ne. Por dua të nënvizoj se në këtë situatë shumë pozitive, as ne dhe as partnerët europianë nuk duhet ta marrin si të mirëqenë njëherë e përgjithmonë atë që kemi arritur, sepse në rajonin tonë veprojnë edhe aktorë të tretë që synojnë të shfrytëzojnë çdo lëkundje, paqartësi apo vakum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me BE-në”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare tha gjithashtu se integrimi europian për Shqipërinë duhet të jetë një proces sa më i ndershëm dhe i parashikueshëm.

Top Channel