Italia kthen “alo”-t në shtëpi, preket Shqipëria

25/11/2016 00:00

Komisioni i Buxhetit pranë Dhomës së Deputetëve në Itali aprovoi një amendament të ligjit të stablilitetit 2017, që parashikon rregulla më të rrepta për zhvendosjen e shërbimeve të “call centre”.

Kohët e fundit transferimi i këtyre aktiviteteve në vende fqinje, kryesisht në Shqipëri, ka shkaktuar në vend protesta të punonjësve italianë.

Norma e re, që do të hyjë në fuqi sapo të botohet në gazetën zyrtare, parashikon një lloj faljeje për ata që kanë zhvendosur aktivitetin e tyre në një vend jo anëtar të Bashkimit Europian përpara se të dilte norma e re.

Gjithësesi, firmat janë të detyruara të japin komunikimin brenda 60 ditësh, përndryshe parashikohen gjoba prej 10 mijë eurosh për çdo ditë vonesë.

Ndërmarrjet që vendosin të transferojnë aktivitetin në vendet jo europiane nuk mund të përfitojnë nga asnjë lehtësim fiskal dhe do të kenë probleme për të marrë pjesë në tenderat publikë.

Sipas përfaqësuesve të sindikatave kryesore, amendamenti nuk do të kthejë në Itali aktivitetet e këtij lloji, shumica e të cilave veprojnë në Shqipëri, por thjesht do t’i spostojë në një vend anëtar të Bashkimit Europian, siç mund të jetë Rumania.

Ata këshillojnë gjithësesi një kontroll më të rreptë në këtë fushë. Ende nuk dihet nëse teksti do të pësojë ndryshime gjatë shqyrtimit në Senat.

Ndërkohë llogaritet që nëse fluksi i zhvendosjes së firmave të “call centre” nuk frenohet, në Itali brenda disa muajsh janë në rrezik rreth 70 mijë vende pune.

Top Channel