“Rama mendoi anulimin”; Kryeministri, “urim” ironik: Mos na përdorni për zgjedhjet tuaja

24/11/2016 00:00

Lulzim Basha nuk e bëri publik takimin e tij me Gunther Krichbaum, por fotografia miqësore nuk lë vend për shumë hamendësime. Kushtet e opozitës për hapjen e negociatave ishin pjesë e deklaratës së zotit Krichbaum, një qëndrim që kreu i opozitës e barazoi me atë të Bundestagut.

Sipas Lulzim Bashës, nga konferenca e tij doli një lajm i mirë dhe një lajm i keq. Lajmi i keq është “qëndrimi i Bundestagut gjerman kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë”, ndërsa lajmi i mirë është se “Gjermania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Lulzim Basha thotë se, “tani është koha të punojmë për të realizuar reformat e nevojshme, për të marrë vendimet e duhura që u shërbejnë shqiptarëve dhe jo për t’u hedhur hi syve qytetarëve dhe partnerëve tanë”.

Kreu i opozitës shprehet se “është koha për reflektim” dhe se “është koha që të gjjthë ata që duan ndryshimin e vërtetë të bëhen bashkë për të luftuar korrupsionin, krimin, drogën dhe për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Por, kjo nuk ishte deklarata e vetme nga kampi opozitar. Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu ka përdorur një gjuhë tjetër. Megjithëse nuk beson se në dhjetor, 6 muaj para zgjedhjeve, do të ketë një datë për çeljen e negociatave, zonja Bregu mbrojti qëndrimin e hershëm të saj se “negociatat duhet të hapen, si një inkurajim dhe si një garanci për qytetarët shqiptarë, që qeveria do të monitorohet e do të kontrollohet në çdo reformë që ndërmerr e që nuk ndërmerr, që zgjedhjet do të jenë në plotësim të plotë të standardeve demokratike, që ligjet e miratura duhet të zbatohen, që pandëshkueshmëria të mos i zërë më frymën vendit”.

Ndërkohë, burime pranë kryeministrit i thanë Top Channel se takimi i zotit Krichbaum me kryeministrin Rama është kërkuar në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Europiane të Bundestagut. Por zoti Krichbaum është paraqitur në takim thjesht si deputet i partisë së tij dhe ka qenë shumë e qartë se, opinioni i tij nuk është as opinioni i Kancelares dhe kryetares së partisë, Angela Merkel, as opinioni i Komisionit të Jashtëm që ai drejton, e madje as opinioni i vet grupit të tij parlamentar.

I njëjti burim thotë se kryeministri nuk e ka anuluar takimin në kuadrin e vizitës individuale partiake të zotit Krichbaum, në respekt të kontributit që ai ka dhënë si kryetar i Komisionit për Çështjet Europiane në mbështetje të Reformës në Drejtësi.

Ndërkohë, një burim i dytë siguron se, duke e përcjellë zotin Krichbaum, Edi Rama i ka uruar deputetit gjerman suksese në fushatën e tij të ardhshme elektorale dhe i ka sugjeruar me humor që as të mos e ngatërrojë Shqipërinë me axhendën e fushatës së tij në Gjermani dhe as fushatën e tij të mos e ngatërrojë me fushatën e Partisë Demokratike në Tiranë.

Top Channel