Izrael, me mijëra të evakuuar për shkak të zjarreve në Haifa

24/11/2016 00:00

Dhjetëra mijëra njerëz po evakuohen nga banesat e tyre, për shkak të flakëve që kanë përfshirë qytetin izraelit të Haifas.

Mungesa e shirave, erërat e ngrohta e ajri i thatë po kontribuojnë për përhapjen e zjarrit në zonat rezidenciale në veri të qytetit prej 250 mijë banorësh, e sipas autoriteteve, të rrezikuara janë edhe banesat pranë Jeruzalemit dhe Bregut Perëndimor.

Ministri i Brendshëm tha se, rreth 50 për qind e flakëve janë shkaktuar në mënyrë të qëllimshme, edhe pse kjo nuk është konfirmuar nga policia. 4 palestinezë janë arrestuar e pritet të dalin në gjykatë.

Qindra rezervistë ushtrie janë mobilizuar në betejën 3-ditore për shuarjen e flakëve. Deri më tani nuk ka pasur viktima apo të plagosur, edhe pse autoritetet mjekësore raportojnë se të paktën 55 vetë ishin trajtuar për asfiksim.

Ndërkohë, të mëdha janë dëmet në banesa e automjete. Sipas kryebashkiakut të Haifas, Yonah Yahav, ka tregues që një prej zjarreve ishte shkaktuar pas hedhjes së një cigareje në një zonë të mbushur me naftë e lëndë të tjera të djegshme.

Situata nuk pritet të lehtësohet në ditët në vazhdim, pasi nuk do të ketë ndryshim të kushteve të motit.

“Sipas parashikimeve, thatësira e erërat që favorizojnë përhapjen e flakëve do të vazhdojnë për të paktën edhe dy ditë të tjera. Ne po përgatitemi për të përballuar këtë problem në mënyra të ndryshme”, tha kryeministri Benjamin Netanjahu.

Disa vende, mes të cilave Qiproja, Rusia, Italia, Kroacia dhe Greqia kanë ofruar ndihmë e pajisje për shuarjen e flakëve.

Top Channel