Turqia, Parlamenti Europian ngrin negociatat e anëtarësimit

24/11/2016 00:00

Parlamenti Europian votoi për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit të Turqisë, një lëvizje kjo që mund të afrojë fundin e një procesi të zvarritur në kohë e mjaft të trazuar.

Vota e eurodeputetëve nuk është detyruese dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nxitoi ta përshkruante si “të pavlerë”. Fakti mbetet megjithatë që PE-ja i kërkoi Komisionit Europian dhe qeverive të 28 vendeve anëtare të bllokut t’i bllokojnë bisedimet e nisura 11 vjet më parë.

479 vota në sallë kanë qenë në favor të mocionit amendues të marrëdhënieve BE-Turqi, 37 kundër dhe 107 abstenuan. Pezullimi i negociatave është kritikuar nga ata që ndajnë bindjen se një hap i tillë nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do ta shtyjë Turqinë të marrë një qëndrim akoma më të ashpër mbi çështjet e të drejtave të njeriut.

Kjo votë ishte një përgjigje ndaj shtypjes që Ankaraja i ka bërë opozitës politike dhe medias së pavarur që prej grushtit të dështuar të shtetit në muajin korrik.

Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, megjithatë, rreshtohet në krahun e atyre që mendojnë se zgjidhja në këtë situatë nuk është kërbaçi.

“Besoj se mënyra më e mirë për të forcuar demokracinë e Turqisë, rruga më efikase është ndërveprimi me të, është mbajtja hapur e kanaleve të komunikimit. Nëse procesit të aderimit i vjen fundi, atëherë nga ky skenar të dyja palët do të dalin të humbura”, ka thënë Mogherini.

Ankaraja vetë ka lënë të kuptohet se mund të terhiqet nga procesi nëse deri në fund të vitit nuk do të ketë asnjë përparim. Erdogan deklaron se do të rivendosë dënimin me vdekje, por nëse kjo ndodh bisedimet e anëtarësimit padyshim do të shkojnë drejt ngrirjes, pasi heqja e këtij ndëshkimi është një prej kushteve të aderimit.

Pavarësisht kësaj, shumë politikëbërës dhe analistë nuk bien dakord me lëvizjen e Parlamentit Europian, me argumentin se ajo jo vetëm do ta shtyjë Ankaranë drejt thellimit të masave të veta polemizuese, por do të vërë gjithashtu në rrezik rolin e saj në frenimin e fluksit të emigrantëve në Europë.

Top Channel