Trafikanti “i arrestuar” shkruan në Facebook: Ai në burg nuk jam unë

23/11/2016 00:00

Një nga trafikantët më të kërkuar të njerëzve në botë, të cilin policia britanike thotë se ndihmoi që ta arrestonin dhe ekstradonin në Itali, tha këtë javë se është i lirë dhe se në vendin e tij u ndal dhe u ekstradua një i pafajshëm.

Në mesazhe private në Facebook, të lexuara nga “The Guardian”, trafikanti Medhanie Yehdego Mered thotë se personi që po gjykohet në Sicili, është thjesht viktimë e identitetit të gabuar.

Mesazhi i trafikantit të njohur me nofkën “Gjenerali”, thjesht shton provat se ai që po gjykohet nuk është 35-vjeçari Mered, por një 29-vjeçar nga Eritrea që quhet Medhanie Tesfamariam Berhe. Ky u fundit u dërgua në Itali me bujë të madhe, ndërsa autoritetet britanike, sudaneze dhe italiane mburreshin me këtë super arritje.

Por të dhënat e radhës tregojnë se ato janë gabuar rëndë. “Ata kanë gabuar me emrin e tij, por te gjithë e dinë që nuk është trafikant njerëzish. Shpresoj të lirohet, sepse ai nuk ka bërë asgjë”, shkruan “Gjenerali” në mesazhin e tij në Facebook.

“The Guardian” shkruan se ka prova të ndryshme që faqja e Facebook i përket vërtetë trafikantit Mered, ku ajo më bindëse është numri i telefonit që sipas dokumenteve të autoriteteve italiane është i tij.

Por pavarësisht kësaj, një i pafajshëm duket se është në burg dhe ekspertët thonë se pas bujës së madhe që i dhanë operacionit, autoritetet e tre vendeve të përfshira duket se nuk po gjejnë mënyrën si të shpëtojnë nga ky gabim i sikletshëm pa u marrë vesh.

FOTO GALERI
1/7
Medhanie Berhe

Top Channel