Rrëshqitja e tokës, Paloka dhe Tahiri vizitojnë të dëmtuarit

22/11/2016 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri inspektoi punimet e emergjencave civile në zonën ku pati rrëshqitje dheu që vendosi disa banesa në rrezik në zonën e Kombinatit në Tiranë.

“Garantoj mbi të gjitha banorët këtu, që nuk janë vetëm dhe do marrim masa për të dhënë zgjidhje sa më shpejt, pa toleruar asnjë neglizhencë që mund të sillte dhe pasoja”, deklaroi Tahiri.

Ministri sqaroi se fillimisht po punohet për të shmangur rreziqet dhe më pas do të vijohet me fazën e rehabilitimit.
 
“Na duhet të rehabilitojmë zonën në mënyrë që rreziku i menjëhershëm të shmanget nga shtëpitë e banorëve dhe më pas duhet parë konkretisht çfarë lloj investimi duhet për të mos lejuar përsëritjen në të ardhmen dhe këtë mund ta thonë ekspertët”, u shpreh ai.

Ndërkohë, zona është vizituar edhe nga deputetë të opozitës, mes të cilëve kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.

“Banorët pas kërkesave të vazhdueshme për ndihmë janë ndjerë të pambrojtur na kanë njoftuar ne. mua më vjen mirë që tani kanë ardhur emergjencat civile dhe uroj që t’i japin zgjidhje këtij problemi”, deklaroi Paloka.

Top Channel