Roje në kufirin greko-turk, “Oriku” niset në mision patrullimi

21/11/2016 00:00

Shqipëria nis misionin e parë detar si vend anëtar i NATO-s. Anija “Oriku” u nis drejt Egjeut ku do të fillojë misionin njëvjeçar nën komandën holandeze. Në Portin e Durrësi, 21 ushtarakët pjesë e ekuipazhit u përcollën nga të afërm dhe zyrtarë.

“Pasiguria në rritje në Mesdheun lindor e jugor ka sjellë nevojën e një reagimi të përbashkët nga të gjitha vendet e Aleancës sonë. Ngjarjet që po ndodhin në Siri, Irak dhe jo vetëm, demonstrojnë rëndësinë që ka NATO për të qenë e mirëpërgatitur dhe e kudogjendur për t’iu përgjigjur çdo krize të mundshme. Misioni ushtarak detar në detin Egje, midis dy vendeve tona aleate, Greqisë dhe Turqisë, është dëshmia më e mirë e unitetit dhe gatishmërisë që e kanë të gjithë vendet e NATO-s”, tha ministrja Kodheli.

Ekuipazhi do ndërrohetc cdo dy muaj.

“Operacioni do të zgjas 1 vit si fillim, por mund të ketë shtyrje, kurse efektivët do të ndërrohen çdo dy muaj”, deklaroi Ilir Cobo, kapiten i rangut III.

Anija “Oriku”, përveç monitorimit të hapësirës detare në kuadër të operacionit të NATO-s, është certifikuar edhe për të ndërhyrë në raste emergjencash kur diktohen mjete që transportojnë klandestinë.

Patrullimi dhe monitorimi i fluksit të emigrantëve në Mesdhe është ndër qëllimet e këtij misioni të NATO-s.

Top Channel