Eno Birko: Si hoqa dorë nga alkooli

21/11/2016 00:00

Një histori e veçantë, e trishtë, me shumë dëshpërim, por me një dritë në fund të tunelit. Kështu mund të quhet ajo e Eno Birkos, balerinit të talentuar shqiptar, i cili u shkëput nga skena e Teatrit të Operas dhe Baletit gjashte vite më parë.

Një operacion i hernies diskale do ta largonte nga rolet si solist i parë, nga fama dhe duartrokitjet e publikut. Do t’i jepte një tjetër jetë, atë mes dëshpërimit, alkoolit dhe izolimit nga të gjithë.

Në një rrëfim krejt të sinqertë, ekskluzivisht për “Pasdite në Top Channel”, Eno Birko e cilësoi këtë periudhë si ëndrrën më të keqe të jetës se tij.

Ai rrëfen se ditët e tij larg baletit e çuan në një peshë thuajse 120 kilogramë, pa sport, me gjendje ankthi dhe me gotën e alkoolit para.

“Kjo nuk ishte një fazë e vështirë vetëm për mua, pasi unë nuk isha në gjendje as të mendoja, por ishte shumë e vështirë për familjen time, mamin dhe motrat e mia, që kanë derdhur shumë lot”, rrëfeu Birko mes emocionesh.

Tashmë në një gjendje shumë të mirë fizike, balerini Birko është rikthyer në skenën e TOB me rolin e shtriganit në “La sylphide”, rol karakteri i pritur shumë mirë nga kritika dhe publiku. Birko shprehet se periudhën e errët të jetës së tij tashmë e ka lënë pas, kjo falë mbështetjes shumë të madhe të nënës dhe motrave të tij, nipërve e mbesave si dhe kolegëve e miqve.

Forcën për të dalë nga humnera e për t’u ringritur e gjeti dhe tani objektivi i tij i radhës është rikthimi i përhershëm si balerin i parë në TOB.

Top Channel