Incidentet e nxitura nga urrejtja

17/11/2016 22:15

Për prokurorin e Nju Jorkut, Erik Shnejderman, “swastika” e pikturuar me “spray” ngjyrues në murin e një ndërtese të qytetit sjell në mendje slloganin e përdorur nga Donald Trumpi gjatë fushatës presidenciale. “Ta bëjmë Amerikën të bardhë përsëri nuk tingëllon e panjohur për veshët tanë, apo jo? Përfundimet nxirrini vetë”, u shpreh ai.

“Ne nuk duam të imagjinojmë probleme që nuk ekzistojnë akoma. Nuk e dimë me saktësi se çfarë do të ndodhë. Një gjë ama e dimë dhe ajo është shtimi i paragjykimeve”, shtoi Shnejderman.

Shfaqja e kryqit të thyer nazist është vetëm një prej më shumë se 400 incidenteve të nxitura nga urrejtja dhe të lidhura me zgjedhjet që janë regjistruar pasi Trump fitoi presidencialet e 8 nëntorit. Sipas Shnejderman, retorika përçarëse e manjatit gjatë garës për Shtëpinë e Bardhë i ka dhënë një pjese të mbështetësve të tij guximin të shpërndajnë mesazhe raciste.

“Po ndodh një fenomen të cilit janë duke iu referuar mjaft njerëz tanimë:  normalizimi i fanatizmit të hapur. Këtë ne duhet ta luftojmë sepse nuk është OK të jesh fanatik në Nju Jork apo në Amerikë. Nuk ka qenë asnjëherë më parë dhe nuk do të jetë kurrë”, deklaroi prokurori i Nju Jorkut.
 
Por, ashtu siç ka rritje të incidenteve të tilla, ka njëkohësisht edhe shtim të solidaritetit të atyre banorëve të Nju Jorkut që i kundërvihen kësaj situate, theksoi prokurori. Shnejderman i ka kërkuar agjensive lokale të zbatimit të ligjit të tregohen vigjilente në lidhje me identifikimin dhe raportimin e krimeve të mundshme nga urrejtja.

Top Channel