Obama në turin e fundit në Europë: Ruani demokracinë

16/11/2016 00:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama mbërriti pasditen e së mërkurës në Gjermani, ndalesa e dytë pas Greqisë e turit të tij të fundit jashtë kufijve si kryetar shteti i Amerikës.

Nga Athina, vendi i lindjes së demokracisë, Obama tha më herët se ai dhe Donald Trump janë dy njerëz ekstremisht të ndryshëm, por demokracia amerikane është më e madhe se çdo person. E ardhmja do të jetë e mirë, u shpreh presidenti, përsa kohë njerëzit vazhdojnë të besojnë tek demokracia.

“Ne luftojmë fort në fushata elektorale si në Amerikë, ashtu dhe këtu në Greqi. Por pas zgjedhjeve, demokracia varet shumë nga një kalim paqësor i pushtetit, sidomos kur nuk merr rezultatet që dëshiron. Në javët në vazhdim, administrata ime do të bëjë ç’është e mundur për të mbështetur një tranzicion sa më të qetë të mundshëm sepse kështu duhet të funksionojë demokracia normalisht”, deklaroi Obama.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u kujdes edhe një herë të garantonte aleatët për vijimësinë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara në NATO.

“Këto vitet e fundit kemi bërë investime historike në NATO, kemi rritur praninë e Amerikës në Europë dhe NATO-ja e sotme, aleanca më e madhe e botës, është më e fuqishme dhe gati për veprim nga ç’ka qenë ndonjëherë më parë. Dhe jam i bindur se angazhimi i Amerikës në këtë Aleancë do të vazhdojë të zgjasë, ashtu siç zgjati për shtatë dekada, si me administratat demokratike ashtu dhe me ato republikane”, theksoi Obama.

Obama vizitoi më herët monumentin më të famshëm të antikitetit grek, Akropolin. E gjithë zona ishte mbyllur për publikun me rastin e ndalesës së tij, e cila u zhvillua nën masa të rrepta sigurie.

Top Channel